Si duket dramës për një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë po i vije fundi. I dërguari i posaçëm i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka ftuar liderët serb dhe ata kosovarë në Shtëpinë e Bardhë, më 27 qershor. Madje, veç Grenellit, aty, sipas mediave amerikane, do të jetë edhe njeriu më i fuqishëm në botë, Donald Trump.
Por, cila do të jetë marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Ani se thuhet që nuk ka ende ndonjë marrëveshje definitive në mes të këtyre shteteve e që po pritet të arrihet me ndërmjetësimin e SHBA-ve, Gazeta inFokus, nga burime të sigurta brenda institucioneve të Kosovës, ka marrë vesh pikat kryesore të cilat pritet që të jenë pjesë e kësaj ujdie. Sipas këtyre burimeve të Gazetës InFokus, tema kryesore dhe e cila pritet që të jetë pjesë e marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë është ekstraterritorialiteti i objekteve fetare që ndodhen në Kosovë e që Serbia i konsideron të vetat.

Kështu, ky burim i ka treguar Infokusit se kjo edhe do të jetë tema kryesore e dialogut. Ndërsa, nuk pritet që pjesë e diskutimi të jetë edhe prekja e territorit të Kosovës e as të Serbisë. E në arritjen eventuale të kësaj marrëveshjeje, ky burim i ka thënë Infokusit se ka premtime për investime të mëdha ekonomike në të dy vendet. Thuhet se në Kosovë, SHBA-të, pritet që të investojnë rreth 7 miliardë euro, që është sa buxheti i Kosovës për tre vite. Infokus ka mësuar se pjesë e marrëveshjes nuk do të jetë as asociacioni i komunave serbe me kompetenca ekzekutive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *